“Ne arritëm t’i shpëtojnë 15 policë të bllokuar në turmë”, tha Ristuccia në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve, AGI.
“Arsyeja pse situata nuk u përshkallëzua (më 29 maj) ishte fakti që ishim të përgatitur shumë mirë. Ushtarët tanë vepruan shumë, shumë profesionalisht. Dhe dëshiroj ta shpreh mbështetjen time të plotë për të plagosurit tanë dhe familjet e tyre. Ata vepruan aq profesionalisht, saqë mundën ta menaxhonin forcën që të mos përshkallëzohej situata, kështu shpëtuam 15 policë të Kosovës, penguam të dy palët të përplaseshin, përndryshe do të duhej të merreshim me një problem tjetër krejtësisht të ndryshëm”, tha Ristuccia.
Ndërkohë që KFOR-i pritet të përforcohet dhe ta rrisë praninë në Kosovë, komandanti Ristuccia tha se janë gati të përballen “me çdo lloj rrethane”.
“Ne synojmë të përballemi me çdo lloj rrethane dhe për këtë kemi marrë forca shtesë. Ne nuk reagojmë, ne veprojmë, jemi të organizuar, të trajnuar dhe të pajisur për t’i përballuar të gjitha sfidat që lidhen me kryerjen e detyrës. Për këtë, falë përgatitjes së ushtarëve tanë, ne kemi mundur që më 29 maj të parandalojmë që situata të përshkallëzohet më tej dhe të vajtojmë për të vdekurit në terren”, ka përsëritur ai.
“Unë theksoj se shumica e njerëzve demonstruan në mënyrë paqësore. Ky akt frikacak i dhunës kundër ushtrisë sonë u krye nga një numër i vogël ngatërrestarësh të dhunshëm që përdorën çdo mjet për të bërë dëm, përdorën mjete ofendimi deri në kufirin vdekjeprurës”, tha Ristuccia.
Aktualisht “situata është shumë komplekse, e tensionuar dhe e paqëndrueshme. Këto ditë në dukje është e qetë, por mbetet shumë e paqëndrueshme. Hera e fundit që kanë ndodhur incidente të tilla ishte në vitin 2004. Prandaj, në të kaluarën janë arritur shumë rezultate pozitive, dhe fakti se numri i trupave të KFOR-it ka rënë në mënyrë drastike nga viti 1999 deri në vitin 2023 tregon qartë se janë arritur shumë rezultate. Megjithatë, për fat të keq, dinamika aktuale na bën shumë, shumë të shqetësuar për këto rezultate. Ne kemi nevojë që të dyja palët të qetësojnë menjëherë tensionet, për të gjetur zgjidhje vetëm me politikë dhe diplomaci”, saktësoi Ristuccia.
Vendimi për rritjen e trupave të NATO-s në Kosovë, Ristuccia tha se u mbështet në “një vlerësim ushtarak”, përveçse politik.





























