“Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”Vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Lista Serbe e ka vlerësuar si “pjesë të planit të regjimit të kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti, për të vazhduar me terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve”.
“Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe.
Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste, duke argumentuar se këto organizata qëndrojnë pas trazirave në veri të Kosovës dhe se ato paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”.
Lista Serbe edhe një herë u bëri thirrje misioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të Kosovës, në mënyrë që ta “parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”.






























