Më 22 gusht, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut – një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – i dorëzuan nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, një raport ku thuhet se institucionet serbe duhet ta “lirojnë” objektin e tyre brenda tri ditësh.Në përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ambasada amerikane tha më 23 gusht se SHBA-ja e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në veri, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që shton tensionet.
“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, tha Ambasada amerikane në Kosovë.Inspektorati komunal tha se nuk i është ofruar ndonjë dokumentacion në bazë të të cilit institucionet e Serbisë mund ta shfrytëzojnë atë objekt, dhe se institucionet e Serbisë ishin njoftuar paraprakisht se duhet të përgatisin dhe paraqesin dokumente ose kontratë për shfrytëzimin e objektit.
Në ndërtesën e kontestuar janë të vendosura katër institucione që financohen nga Qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit, njoftoi se “kryetarët jolegjitimë kanë shkuar një hap më tej dhe duan të na i marrin edhe objektet”.
Në anën tjetër, nga komuna e Mitrovicës së Veriut thonë se zyrtarët e tyre i ka takuar nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili u ka thënë se “nuk ka asnjë dokument për objektin dhe se nuk e di se në pronësinë e kujt është.”






























