Prej xhiros së tetë e deri në xhiron e 11-të katër ndeshje të parapara në orarin e garave nuk do të zhvillohen në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll. Prej tyre, tri nuk do t’i zhvillojë Ponte Prizreni.Në fakt, Ponte Prizreni do të detyrohet të pauzojë dy javë rresht. Fillimisht nuk do të luajë kundër Trepçës në kuadër të xhiros së tetë, që zhvillohet këtë vikend, pastaj ndaj Pejës (xhiro 9) dhe Golden Eagle Ylli (xhiro 11). Dueli tjetër që nuk do të luhet është ai ndërmjet Yllit dhe Pejës që i takon xhiros së dhjetë.
Të gjitha këto ndeshje do të kompensohen me përballjet e këtyre skuadrave në kuadër të Ligën Unike. Liga Unike nis më 16 nëntor me tetë skuadra, katër nga Shqipëria. Pra, rezultatet që arrihen në Ligën Unike do të numërohen edhe si rezultate të Superligës.
Ponte Prizreni rrezikon katër humbje në dy ndeshje, por mund të marrë katër fitore në dy ndeshje.FBK-ja ka vendosur që rezultatet e Ligës Unike të barten në Superligë. Edicionin e kaluar rezultatet e Superligës u numëruan në Ligën Unike. U respektua orari i kampionatit kosovar e tani respektohet më shumë kalendari i Ligës Unike. Dhe kjo solli pushimin e gjatë për Prizrenin, por edhe për Trepçën.
Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, nuk shqetësohet shumë për këtë. Ai thotë se me bartjen e rezultateve nga njëra ligë në tjetrën është evituar ballafaqimi i shpeshtë i ekipeve kosovare e që mund të bëhej edhe monoton






























