“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative”, citohet të ketë thënë Kurti nga mediumi britanik “The Guardian”.
“Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, ka thënë tutje Kurti.
Ai ka shtuar se edhe SHBA-ja dhe BE-ja pajtohen që barrikadat duhet të hiqen. Por ata janë gjithashtu të shqetësuar se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi.“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet mes Beogradit dhe Moskës. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”, citohet të ketë thënë Kurti.
Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, edhe njëmbëdhjetë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.






























