Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj janë arrestuar dje gjatë ditës nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’
Gjatë bastisjes dje është raportuar se në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve janë gjetur edhe 60 mijë euro, ndërsa në raportin e Policisë së Kosovës sot jepen edhe detaje tjera nga arrestimi i dy ish-zyrtarëve në Mitrovicë.
“Më 14.07.2023 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të lart-cekur. Gjatë kontrollit në shtëpitë dhe banesat e të dyshuarve si prova materiale janë konfiskuar: 60.000 euro, 2 telefona, tre llap-topa , një USB dhe dokumente tjera të ndryshme lidhur me rastin. Pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Faruk Mujka ishte nënkryetari i Mitrovicës, ndërsa Hysen Muzliukaj kishte rolin e drejtorit komunal për Kadastër, në Mitrovicë gjatë kohës kur dyshohet se është kryer vepra penale.





























