Deri kah fundi i muajit gusht do të vendoset anëtarësimi ose jo i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës, njoftoi drejtori ekzekutiv i këtij institucioni.Ai deklaroi në Interaktiv të KTV-së të mërkurën se kryetari i komunës, Eden Atiq, nga katër komunat veriore, i pari e ka shprehur interesimin për anëtarësim në AKK, ndërsa shtoi se bazuar në procedura, aplikimi është bërë dhe tash pritet shqyrtimi.
“Ky do të jetë kuvend i jashtëzakonshëm në bazë të statutit. Ftesa (për Kuvend) dërgohet një muaj më parë për organizimin e takimit të jashtëzakonshëm. Dje kam pranuar kërkesën, e kam shpërndarë te anëtarët e Bordit të AKK-së. Aty është edhe kryetari i Komunës së Parteshit që përfaqëson kryetarët serbë. Jemi në diskutim se kur do të organizohet kuvendi i jashtëzakonshëm për trajtimin e kërkesës së Mitrovicës së Veriut. Po shpresojmë që kryetari i Asociacionit gjatë këtyre ditëve të dërgojë ftesën për të proceduar tutje. Deri para përfundimit të muajit gusht”, deklaroi Ibrahimi.
Ai u shpreh se AKK si organizatë joqeveritare, nuk merret me politikë pasi s’është mekanizëm i tillë, me ç’rast tha se nuk pret që të ketë kundërshti për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut. Sipas drejtorit ekzekutiv, deri më tani s’ka pasur ndonjë reagim për aplikimin e kësaj komune, pro tha se nëpërmjet Asociacionit, komunat përfitojnë bashkëpunime ndërkomunale dhe shkëmbejnë përvoja.





























