Ndërmarrja “Trepça” nuk ka të dhëna për vitin 2024 se sa është prodhimi i koncentratit të plumbit e zinkut dhe eksploatimi i xeheve në minierën e menaxhuar nga serbët në veri.
Në Ministri të Ekonomisë, nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për kontrollin mbi minierën me Flotacionin Kopaonik në Leposaviq, e në ndërmarrjen “Trepça”, e pranuan mungesën e sigurimit të të dhënave nga menaxhmenti i kësaj njësie.
“Për eksploatimin e xehes nga miniera e Cërrnacit dhe Bello Bërrdo, si dhe për prodhimin e koncentratit në Flotacionin në Leposaviq gjatë vitit 2024 nuk kemi të dhëna”, kanë konfirmuar në ndërmarrjen “Trepça”.
Pavarësisht kësaj, në “Trepçë” thanë se janë duke e përpiluar planin e biznesit për 2025, e te i cili përfshihen edhe minierat dhe flotacioni në veri, i cili parashihet të sigurojë të hyra mbi 16 milionë euro.
“Në minierën e Cerrnacit sipas Planit të Biznesit 2025 parashihet që gjatë vitit 2025 të eksploatohen 165,996.00 tonë xehe me kualitet plumb 2.77 për qind dhe zink 2.66 për qind. Nga kjo xehe parashihet të përfitohen 5,892.00 tonë koncentrat plumb dhe 5,472.00 tonë koncentrat zink. Vlera e këtij koncentrati parashihet të jetë koncentrat i plumbit 9,480,000.00 euro dhe koncentrat i zinkut 6,276,000.00 euro. Gjithsej të hyra nga shitja e koncentratit dhe të hyrat e tjera 16,230.000.00 euro”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.
E, në Trepçë kanë insistuar se është bërë përparim për ta shtrirë kontrollin në njësinë në veri.
“Kohëve të fundit janë bërë shumë përparime në vënien në kontroll të eksploatimit të xehes, prodhimit të koncentrateve, si dhe në menaxhimin e të hyrave dhe shpenzimeve. Gjithçka po shkon në drejtimin e duhur, por ende ka shumë punë për t’u bërë në mënyrë që edhe kjo njësi biznesore Trepça Sh. A. të funksionojë normalisht, si edhe njësitë e tjera biznesore”, thuhet në një përgjigje të ndërmarrjes.
Në 2016-n, Qeveria ua ndërroi statusin tri njësive kryesore të “Trepçës”. Me të minierat me flotacion në Stantërg, ato në Kishnicë dhe Artanë, si dhe minierat në Leposaviq funksionojnë brenda shoqërisë aksionare, në të cilën 80 për qind e pronësisë i takon Qeverisë dhe 20 për qind punëtorëve.






























