Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) pajtohen që për momentin nuk ka vend për diskutime për organizimin e konferencës së donatorëve për Kosovën dhe Serbinë, e cila ishte parashikuar në Marrëveshjen për normalizimin e raporteve, e arritur nga liderët, më 27 shkurt në Bruksel dhe në Aneksin e zbatimit që u dakordua më 18 mars në Ohër.
Teksti i marrëveshjes parashikonte organizimin e konferencës së donatorëve, 150 ditë pas arritjes së marrëveshjes, me qëllim krijimin e një pakoje financiare për Serbinë dhe Kosovën, por pagesa do të bëhej vetëm pasi të konstatohej se të gjitha pikat e marrëveshjes janë zbatuar.
Meqenëse asnjëra palë nuk ka zbatuar asnjërën nga pikat, për momentin nuk ka disponim për mbajtjen e konferencës së donatorëve, mëson REL-i në Bruksel.





























