Në një konflikt janë përfshirë së fundi një arsimtare e shkollës fillore të mesme të ulët ‘Bislim Imeri’ në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë dhe drejtoresha e institucionit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se mësimdhënësja ka denoncuar drejtoreshën e shkollës, Ardita Brahimi Idrizi, në Polici, duke deklaruar se është viktimë e presionit nga ana e saj.
Bazuar në dëshminë e saj, që nga koha kur ka konkurruar për pozitën e drejtorit të shkollës, Brahimi Idrizi e ka ngacmuar me fjalë ofenduese.Si rezultat i denoncimit të rastit, e dyshuara është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e saj para hetuesve lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që Brahimi Idrizi të hetohet në liri nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.
Ndërkohë Sinjali ka provuar që të kontaktojë me stafin e shkollës ‘Bislim Imeri’ për të marrë një prononcim lidhur me atë që ka ndodhur, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.






























