Një rast i dhunës në familje në Mitrovicë është zgjeruar edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar armë, municion dhe një thikë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti fillimisht ishte raportuar më 25 qershor, rreth orës 20:35, në rrugën “Ilirët”, ku një grua kishte deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Ankuesja kishte pranuar tretman mjekësor dhe më pas kishte raportuar rastin në Polici, ndërsa i dyshuari ishte ndaluar për 48 orë.
Burimet bëjnë të ditur se më 26 qershor, rreth orës 10:30, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është bastisur shtëpia e të dyshuarit.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar një pistoletë Sig Sauer pa numër serik, një karikator, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një thikë.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rastit të iniciuar për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor” i është shtuar edhe vepra penale “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.





























