Mëngjesi i 26 marsit i vitit 1999 ishte hera e fundit kur Nexhmije Hoti pa djalin e saj, Kreshnikun, para se trupi i tij të goditej nga një granatë e hedhur nga forcat serbe në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit.
Përjetimet për tri ditët e tmerrit, më 25, 26 dhe 27 mars, kur përveç djalit, humbi edhe bashkëshortin, ajo i mban ende të freskëta. Nexhmija në rrëfimin e saj plot dhimbje ka treguar se për t’iu shmangur vrasjeve ia kanë mësyrë malit, ndërkohë që forcat paramilitare serbe kishin rrethuan fshatin. Por hedhja e një granate thotë se ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë.
“Ai doli me një shok tjetër dhe nuk është kthyer më. Babai i tij ishte aty, e thërriste, por ai nuk u kthye. Më tha që kthehet, edhe më nuk mundi të kthehej. Aty ka qenë edhe me njerëz të tjerë, të cilët kanë ikur në mal, vetëm ky përfundoi i vrarë, një ka qenë i plagosur, të tjerët kanë shpëtuar. Granata i ka rënë në kokë, e ka troshitur”, ka rrëfyer ajo.
Nexhmija ka treguar se si nuk pati forcë ta shohë trupin e djalit të saj.
“Fëmija im ka qenë më i riu prej bashkëfshatarëve këtu, veç katërmbëdhjetë vjet i ka pasë, çka u ka bërë ai serbëve”, ka treguar ajo, duke e përshkruar Kreshnikun si djalosh energjik, e me ambicien për t’u bërë mjek, ëndërr që bashkë me jetën iu shua nga vrasësit e regjimit serb.
Por drama tragjike e Nexhmije Hotit nuk përfundon me kaq. Në përpjekje për ta shpëtuar djalin, iu vra bashkëshorti Fahredini, i cili u goditë me plumb në gjoks.





























