Sot u raportua se një burrë nga Mitrovica tentoi t’i jap fund jetës pas presionit të vazhdueshëm që e ka pasur nga fajdexhinjtë. Si pasojë e gjendjes së rënduar, viktima tentoi t’i jap fund jetës, duke konsumuar domestos, por fatmirësisht shpëtoi dhe u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor.
Pas aktivizimit të Policisë për hetimin e rastit dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, është identifikuar një person, që dyshohet se është i përfshirë në këtë rast.
I dyshuari është arrestuar sot në Mitrovicë, me ç’rast në shtëpinë e tij është kryer edhe bastisje nga ana e Policisë.
“Sot me datën 07.10.2023, rreth orës 07:00, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arrestuar të dyshuarin në vendbanimin e tij dhe gjithashtu është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mirëpo nuk ishte gjetur ndonjë dëshmi në lidhje me rastin. Pas intervistimit në prezencën e avokatit, i dyshuari B.D., 48 vjeçar me vendim të prokurorit është ndaluar në ndalim policor për 48 orë”, thuhet në komunikatën e policisë.
Me t’u përfunduar aksioni, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal, teksa është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale “Fajde” dhe “Shtytja në vetëvrasje”.





























