Para disa ditësh, Policia në Vushtrri u sulmua nga dy persona, të cilët tentuan të shpëtojnë nga gjobitja për kundërvajtje në trafik, shkaktuan aksident dhe goditën një zyrtar policor. Gazeta Sinjali raportoi se dy të dyshuarit u prangosën dhe përfunduan në ndalim policor, ndërkohë që brenda afatit ligjor është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ndaj të dyshuarve Irfan Shtitarica dhe Eroll Rashani, është kërkuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji, e cila është aprovuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Ndryshe, shoferi i dyshuar ka qenë nën ndikimin e alkoolit, kur fillimisht ka shkaktuar aksident trafiku duke tentuar të ikin nga zyrtarët policorë, e më pas kanë goditur edhe automjetin e Policisë.
Për të mos mbaruar me kaq, njëri nga të dyshuarit edhe e ka sulmuar me shqelma një polic, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku janë kryer procedurat e nevojshme.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Mitrovicë.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi që të njëjtit janë ndaluar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur( nën ndikim të alkooli) të cilët në ikje kanë shkaktuar aksident trafiku me një veturë private dhe kanë goditur veturën e policisë. Njëri nga të dyshuarit e ka sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policor. Me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje.“





























