Të mërkurën kanë filluar punimet për ndërtimin e bibliotekës “Latif Berisha” në Mitrovicë.
Bibliotekë kjo e cila për vite të tëra ka ndërruar shumë lokacione deri në finalizimin e një objekti të përhershëm.
Biblioteka po ndërtohet në mes të Muzeut të Qytetit dhe Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko”.Këtë e ka konfirmuar drejtoresha për Rini, Kulturë dhe Sport, Valdete Idrizi në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e kësaj biblioteke e cila u mbajt sot.
“Sot me të vërtetë është një ditë historike. Ky projekt nuk ka qenë një nevojë ka qenë domosdoshmëri e kohës. Pse po them historike sepse biblioteka e qytetit nuk ka pas asnjëherë shtëpi të vet, nuk ka pas asnjëherë objekt të përhershëm”- pohoi Idrizi.“Fillimisht ka qenë në ndërtesën e ‘Luksit’, më pas ka qenë në ndërtesën e Bankosit, viteve të fundit, afërsisht katër vite ka shku në ndërtesën multifunksionale Omni Sport. Jo vetëm që ka shkaktu konfuzion por nuk i ka pas as kushtet minimale për të qenë bibliotekë e qytetit me të gjitha standardet me të cilat duhet të jetë”, tha ajo.
Sipas drejtoreshës për këtë projekt janë ndarë afro 700 mijë euro dhe është financuar nga Komuna e Mitrovicës Jugore.
Ndërsa Bedri Hamza, kryetar i Komunës së Mitrovicës Jugore thotë se punimet për ndërtimin e biblotekës së qytetit “Latif Berisha” pritet të përfundojnë në fillim të vitit 2025.
“Me fillu sot, me përfundu unë pres që gjithçka të zhvillohet me dinamikën e duhur në përputhje me kontratën. Ka mundësi me u zhvillu edhe ma herët se kontrata për shkak se nuk ka asnjë pengesë. Janë kry të gjitha procedurat edhe sa i përket lejeve dhe të gjitha tjerave dhe nuk ka asnjë vështirësi. Sa i përket konstruksionit financiar është i siguruar dhe unë pres që ky objekt të kryhet në fillim të vitit 2025”, theksoi kryetari.





























