Derisa Vuçiq, pa dhënë shumë detaje, ka thënë se është munduar t’ua shpjegojë përfaqësuesve evropianë qëndrimin e Serbisë, Osmani ka qenë më e drejtpërdrejtë.
“Nuk ka asnjë arsye për t’u takuar përpara se të miratohen sanksionet kundër Vuçiqit. Së pari sanksionet dhe më pas mund të flasim për pjesën tjetër”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë në Banjskë.
Kosova e akuzon Serbinë për sulmin në Banjskë të komunës së Zveçanit, ku grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Serbia ka mohuar se ka gisht dhe, ashtu si Kosova, ka nisur hetimet e veta të sulmit. Analistët thonë se ngjarja e ka dëmtuar në masë të madhe procesin edhe ashtu të vështirë të dialogut Kosovë-Serbi dhe nuk presin që ai të vazhdojë në të njëjtin format.
Maja Pishçeviq, nga Këshilli Atlantik, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se, fillimisht, duhet të hetohet dhe të mësohet e vërteta pas sulmit në Banjskë.
“Është e vështirë për mua të imagjinoj se palët mund t’i kthehen tani tryezës së bisedimeve. Ato takime, as në muajt e kaluar, as në rastet e mëparshme nuk janë dukur mirë. Dy udhëheqësit nuk i kanë shtrënguar kurrë duart njëri-tjetrit. Dhe, a mund ta imagjinoni diçka të tillë të ndodhë tani?”, pyetet Pishçeviq.





























