Inspeksioni i Komunës së Mitrovicës së Veriut i ka ndërprerë punimet ndërtimore në një rrugë që çon në lagjen multietnike, Mikronaselje, pasi një grup qytetarësh nga komuniteti serb u ankua se varrezat e vjetra ortodokse u gërmuan gjatë punimeve.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha të mërkurën për “Radion Evropa e Lirë” se rasti është duke u hetuar.
Policia e rrethoi zonën me shirit bardhekuq, që do të thotë se punimet e mëtejshme janë ndaluar.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha për “REL”-in se ka qenë “gabim teknik i kompanisë që ka fituar tenderin nga Ministria e Infrastrukturës” dhe se ende nuk ka informacione të hollësishme.





























