Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi të mërkurën suharekasit ishte planifikuar si në filma nga grupi prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën. Para se të arratiseshin ata u gjuajtën me njësinë policore që intervenoi në vendin e ngjarjes, duke e lënë të plagosur një polic. Tashmë tre të dyshuar janë arrestuar, ndërsa dy nga ta sot kanë dalë para gjykatës, raporton Gazeta Sinjali.
Seanca ndaj dy të dyshuarve që kanë dhënë ndihmë në grabitjen e argjendarisë në Suharekë, ka nisur rreth orës 16:00, ndërsa ende nuk ka dalë vendimi ndaj tyre.
Të dy të dyshuarit janë nga Mitrovica dhe dyshohet se janë përfshirë në plaçkitjen e arit që tronditi Suharekën dhe jo vetëm.
Ndryshe, dy ditë më parë është gjetur vetura me të cilin hajdutët kanë kryer grabitjen.
Sinjali mëson se automjeti me të cilin ata kanë arritur të arratisen, me targa të vjedhura të rajonit të Prishtinës “01”, që sipas pamjeve duket të jetë e tipit “Chevrolet Cruze” u gjet në një bjeshkë.





























