Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në Zhabar të Mitrovicës.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 30-vjeçare e cila ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, por që fillimisht nuk e kishte raportuar dhunën. Por ajo u përball sërish me telashe me bashkëshortin e saj, i cili sipas saj, gjatë fjalosjes po mbante në dorë një thikë.
Kjo ka ngjallur frikë dhe shqetësim te gruaja, e cila kërkoi ndihmën e Policisë, me ç’rast bashkë me dy fëmijët e saj është dërguar në strehimore.
Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.





























