Sot, policët e EULEX-it filluan të patrullojnë veriun në këmbë, kryesisht për të treguar praninë e tyre në vakuumin e sigurisë, por ata nuk mund ta marrin rolin e Policisë së Kosovës, tha për Kossev, kreu i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.
“Rreth 135 policë të EULEX-it punojnë me turne në rajonin e Veriut. Prandaj ata nuk angazhohen përnjëherë në këtë numër, por punojnë me turne, para së gjithash kryejnë patrullime mobile, e nga sot kemi filluar edhe me patrulla këmbësore në Mitrovicë dhe në vende të tjera, për të treguar se ne jemi të pranishëm atje si polici”, tha Ëigemark.
Ai përkujtoi se EULEX-i është përgjegjës i dytë në zinxhirin e sigurisë, i cili i ofron mbështetje policisë së Kosovës.
“Përgjegjësja kryesore në zinxhirin e sigurisë është Policia e Kosovës. Jemi të dytët në zinxhirin që reagojmë dhe deri diku mund t’i ofrojmë mbështetje policore Policisë së Kosovës. KFOR-i, në anën tjetër, është një forcë ushtarake dhe sigurisht që ata kanë polici ushtarake, por ata nuk janë të përfshirë në zbatimin e rendit dhe ligjit në asnjë mënyrë ushtarake, sepse ky nuk është mandati i tyre, dhe mandati ynë si EULEX është pikërisht të angazhohen në punët e policisë. Mirëpo, ka limite për ne, këtë e bëjmë në koordinim me policinë e Kosovës, nuk mund ta marrim përsipër punën e tyre dhe ta zëvendësojmë policinë e Kosovës”, ka shpjeguar ai.
Ai shtoi se stafi i mbetur në stacionet policore në të katër komunat po mundohet që me turne të zgjatura ta bëjë punën e tyre sa më mirë, por edhe të mbrojë vetë qytetarët.
“Nuk është një situatë e qëndrueshme afatgjatë dhe të gjithë po përpiqen të bëjnë më të mirën, prandaj mendoj se vetë qytetarët dhe komuniteti lokal po pyesin se çfarë do të ndodhë më pas. Madje, disa njerëz me të cilët fola kanë frikë se çfarë mund të ndodhë, veçanërisht në lidhje me sjelljen e policisë nga rajone të tjera, se mund të ketë tensione edhe më të mëdha, madje edhe konflikte nëse kjo ndodh. EULEX-i është i pranishëm kryesisht në kapacitetin e tij parandalues. Nuk jemi aty për të marrë detyrat e Policisë së Kosovës. Ne punojmë ngushtë me Policinë e Kosovës, koordinohemi edhe me ta, koordinohemi edhe me NATO-n dhe KFOR-in. Rreth një javë më parë, Policia e Kosovës kërkoi nga ne që të rrisim monitorimin e situatës, gjë që e bëmë. Kemi shtuar edhe numrin e njësive tona. Por në planin afatgjatë ne nuk mund ta marrim dhe zëvendësojmë Policinë e Kosovës.





























