Kurti është pyetur për këtë vendim që shkaktoi reagime të ashpra dhe kërkesa për pezullim, duke thënë se s’ka pasur nxitim për këtë çështje, transmeton Sinjali.
Në një intervistë për REL-in, Kurti tha se s’ka pasur kurrfarë nxitimi, por sipas tij ka pasur vonesë sepse neni 11 i Kushtetutës thotë që padyshim se duhet të ketë vetëm një valutë si mjet pagese.
Sipas tij, sikleti i Beogradit nuk është që serbët nuk mund ta përdorin euron, por që ata nuk mund ta dërgojnë dinarin, që siç thotë ai, ka ardhur me thasë dhe ka përfunduar te ata që i raportojnë Radoiçiqit“Pra, i gjithë problemi në fakt nuk është euro-dinar, por është transparencë apo mungesë e transparencës, kanale zyrtare financiare bankare dhe jobankare apo thasë me dinarë kesh. Ata e duan këtë të dytën, sepse pluralizmi politik në Kosovë në mesin e komunitetit serb është mbytur me paranë kesh që vjen nga Beogradi. E, paranë kesh ne nuk mund ta lejojmë.
Pra, dinari kesh që ka ardhur me thasë në Kosovë nuk po hyn më dhe sikleti i Beogradit nuk është që serbët nuk mund ta përdorin euron, por që ata nuk mund ta dërgojnë dinarin. Vetëm vëreni intervistat e presidentit të Serbisë ose të ministrave të Qeverisë atje.





























