Kastrati për Radio Kosovën thotë se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ka ndryshuar. Prandaj, edhe buxheti prej 123 milionë eurosh nuk mjafton për blerjen e armatimit.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.
Nga ky buxhet, 123 milionë janë ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Ish udhëheqësi i FSK-ës, gjeneral Kadri Kastrati, thotë se këto para, nuk mjaftojnë për blerje të armatimit duke pasur parasysh ngritjen e çmimeve të çelikut dhe materialeve të tjera që përdorën për prodhimin e armëve.
“Mendoj që këto para, nuk janë të mjaftueshme. E tash, Qeveria duhet të mendojë edhe për forcat ajrore siç janë helikopterët. Duhet të mendojë edhe për pajisjet e tjera individuale dhe kolektive që janë shumë të kushtueshme. Edhe ato armë që ka tani FSK-ja, janë të vjetruara. Mendoj që Qeveria do të duhej t`i ndajë mbi 200 milionë euro ose të rrisë 1.7 për qind të bruto produktit vendor”, tha ai.





























