Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve të sektorit privat e publik dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.
“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.
“Për herë të parë do të mbështesim me shumë të menjëhershme prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit privat, pra rreth 300 mijë punonjës. Po ashtu, kjo shumë do të ndahet edhe për 80 mijë zyrtarët publik”, ka shtuar ai.
Kurti ka shtuar se edhe studentët do të përfitojnë nga kjo shumë.
“Studentët do t’i përkrahim me shumë të menjëhershme prej 100 euro, ku do të përfitojnë 80 mijë studentë”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se vlera totale e kësaj përkrahje është mbi 100 milionë euro.
“Vlera totale e të gjitha këtyre është mbi 100 milionë euro. Nga këto masa do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë ose praktikisht secila familje e Kosovës”, theksoi ai.
I pari i Qeverisë ka paralajmëruar se do ta rrisin vlerën e pagës minimale.
“Përveç kësaj, nesër në mbledhjen e Qeverisë do të miratojmë Projektligjin që i hap rrugën rritjes së pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto dhe heqjen e tatimit për 250 euro pagë. Pra, edhe do ta rrisim pagën minimale edhe do ta lirojmë nga tatimi”, ka paralajmëruar Kurti.