Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtetet e zonës Schengen dhe janë të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në këtë zonë.
Sikurse edhe me shtetet e tjera të rajonit, që për një kohë të gjatë gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza, Komisioni Evropian do të raportojë për gjendjen e zbatimit të liberalizimit të vizave në kuadër të raporteve nga Mekanizmat për suspendimin e liberalizimit të vizave.
Siç u raportua dje, ka kureshtje në mesin e shteteve anëtare për të parë se si do të shkojë zbatimi i këtij procesi në rastin e Kosovës.
Kosova deri me tash ka pasur një performancë shumë të mirë, madje më të mirë sesa vendet të cilat para saj kishin liberalizimin.
Bëhet fjalë kryesisht për numrin e azilkërkueseve të pabazuar dhe gatishmërinë e Kosovës për t’i pranuar personat që dëbohen nga shtetet e BE-së.
Pasi ka nisur zbatimi i vendimit për liberalizim, BE-ja do të monitorojë sidomos numrin e keqpërdorimeve të lëvizjes së lirë, me fokus të veçantë në qëndrimin përtej afatit të lejuar, angazhimin ilegal në tregun e punës dhe angazhimin në veprime kriminale, raporton rel.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.
“Presim që Kosova edhe pas nisjes së liberalizimit të dëshmojë seriozitetin në përmbushjen e obligimeve”, tha burimi diplomatik i BE-së.
Prioritet i bllokut evropian për këtë vit do të jetë që Kosova dhe shtetet e tjera të rajonit, të bëjnë më shumë përparim në përshtatjen e regjimit të vizave për qytetarët e vendeve të treta me politikën e vizave të BE-së.
“Ne kemi përsëritur disa herë, përfshirë edhe në takimet e nivelit më të lartë, se presim nga partnerët tanë në rajon që të përshtatin regjimin e tyre të vizave me atë të BE-së. Besojmë se kjo është një kërkesë e arsyeshme, nëse ne ua kemi mundësuar lirinë e lëvizjes pa viza qytetarëve të rajonit”, tha një zyrtar i BE-së.





























