Zorani nga Graçanica, komunë e banuar me shumicë serbe në Kosovën qendrore, nuk mundi të merrte pensionin e tij më 12 tetor, sepse, siç i thanë në postë, nuk kishte para.
“Nuk ke me çfarë të blesh ushqime tani, askush nuk të jep para”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
As më 13 tetor në mëngjes nuk ka arritur t’i marrë paratë.
Pensioni i tij është rreth 40.000 dinarë, që është rreth 350 euro. Siç thotë ai, me ato para jetojnë tre anëtarë të familjes së tij.
“Kemi pritur, nuk ka para, gjithçka është e bllokuar. Të gjithë pensionistët janë të pakënaqur, të dëshpëruar, pa para është e vështirë”, shton Zorani.Serbët në Kosovë marrin pensione nga sistemi serb, prandaj paguhen me dinarë, monedha zyrtare e Serbisë.
Ndërkaq, një pensionist nga Mitrovica e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se pagesat në këtë qytet në veri të Kosovës kanë nisur më 13 tetor.
Përveç pensioneve, pagat për punëtorët që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, shtesat e fëmijëve dhe të lehonisë, si dhe asistenca sociale paguhen edhe në dinarë.
Këto të ardhura mund të tërhiqen në zyrën postare ose në bankomatet e Bankës së Postës (Poštanska Štedionica), që funksionon brenda sistemit serb.
Gjithashtu, banka komerciale, NLB, ka degë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, ku mund të ketë llogari në dinarë.





























