Policia e Kosovës sot gjatë orëve të mbrëmjes, ka kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme në Mitrovicën e Veriut.
Arsye e këtyre bastisjeve siç mëson “Mitropol” janë dyshimet për shpërndarjen e rreth 200 fletushkave në veri të vendit të cilat po ftonin në rezistencë ndaj Policisë së Kosovës dhe i udhëzonin qytetarët se si të përgatisnin koktej molotovi në emër të organizatës “Mbrojtja Kombëtare”, e cila ‘doli në shesh’ pasi “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” u shpallën organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës.Në bastisjet e kryera Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona, ndërsa i dyshuar tjetër është në kërkim.
Lajmin konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, i cili ka bërë të ditur se bëhet fjalë vetëm për ndalim dhe intervistim, e jo arrestim.
“Sot gjatë orëve të pasditës në Mitrovica Veri i kemi bastis 4 lokacione në lidhje me rastin e thirrjes për rezistencë dhe i kemi ndalu dy persona, ndërsa jemi në kërkim edhe të një personi të tretë. Pas intervistimit të tyre do të vendoset për veprimet e tjera. Të dyshimtët e ndaluar G.K. (1978) dhe D.S.(1971)”, ka thënë Elshani.
“Mitropol” mëson se njëri nga personat e ndaluar është drejtor i një salle sportive në veri të Mitrovicës.
Pasi u intervistua në stacionin policor i dyshuari G.K është liruar sonte, mëson “Mitropol” gjersa D.S. është dërguar në paraburgim pak më vonë





























