Sidomos në adresë të Kosovës dhe Serbisë priten të dëgjohen mesazhe të qarta. Gjermania dhe Franca aktualisht po bëjnë presion diplomatik që dy vendet të pajtohen me propozimin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve. “Sot nuk ka më vend për konflikte të tilla, me potencial shpërthyes, siç është ai midis Kosovës dhe Serbisë”, tha zyrtari për DW.
Sipas tij, këto janë pritshmëritë e qarta edhe të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz. “Status quoja është e papranueshme. Nuk mund të vazhdohet kështu që statusi të kthehet në ‘mollë sherri’ për çdo çështje”. Sipas tij, kjo është arsyeja edhe se përse Gjermania dhe Franca kanë dalë me një plan konkret për dialogun. Sipas presidentit të Serbisë, Vuçiq, ai parashikon që Serbia, pa pasur nevojë të njohë shtetësinë e Kosovës të hapë rrugë për anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sidomos OKB, dhe në këmbim të marrë përfitime ekonomike dhe një anëtarësim më të shpejtë në BE.





























