I dërguari special i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka paralajmëruar për rreziqet që vijnë nëse s’ka progres në çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian. sipas tij, BE-ja duhet t’i bëjë më të besueshme politikat e zgjerimit. E për Kosovën ka thënë se duhet të vijë liberalizimi i vizave.
Në një intervistë për DW, Sarrazin ka thënë se është lajm i mirë edhe për Ballkanin, vendimi që Ukrainës t’i ofrohet në afat rekord statusi kandidat për Bashkim Evropian.
Sa i përket Kosovës, ai ka thënë se vendin duhet ta shpërblejnë për reforma.
“Premtimi për zgjerim i bërë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 vlen ende. Për Bosnjë-Hercegovinën mbeten të plotësohen 14 prioritetet thelbësore dhe të zbatohen reformat, në mënyrë që t’i jepet statusi i kandidatit. Në Kosovë, Qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres”, ka thënë ai.
Sarrazin ka thënë se duhet t’i bëhet e qartë Serbisë që të mbështesë sanksionet kundër Rusisë, por të mos i jepet mundësia të thotë se “po ia shuajmë dritat në vendin e tij”.
Sipas tij, masa më e rëndësishme që edhe Serbia të largohet nga ndikimi rus është që të ketë besim në premtimin për zgjerim të BE-së





























