Familja Zeka në një reagim publik drejtuar mediave ka thënë se fundi i muajit mars shënon një tjetër përvjetor të dhimbshëm të zhdukjes së Mirjeta Zekës, transmeton Telegrafi.
“Një rast që vazhdon të mbetet i pazbardhur, ndërsa dhimbja dhe pasiguria rëndojnë mbi familjen e saj dhe gjithë shoqërinë tonë. Gjashtë vite pas zhdukjes së Mirjetës, për fat të keq, ky rast mbetet i pazgjidhur për shkak të mungesës së veprimit efektiv nga organet e drejtësisë. Zvarritja e hetimeve dhe mungesa e rezultateve konkrete pasqyrojnë një neglizhencë të rëndë institucionale, e cila minon besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, thuhet në reagimin e familjes.
Tutje në reagim thuhet se familja e Mirjetës meriton të dijë të vërtetën, ndërsa institucionet kanë detyrimin moral dhe ligjor të angazhohen me përkushtim të plotë për zbardhjen e këtij rasti.
“Përkundër kërkesave të vazhdueshme nga familja dhe opinioni publik, institucionet përgjegjëse kanë dështuar ta ndriçojnë këtë rast, duke dëshmuar një neglizhencë të papranueshme dhe një shkelje të rëndë të detyrimeve të tyre ligjore.
Ligjet në fuqi i obligojnë institucionet e drejtësisë të zhvillojnë hetime efektive, të paanshme dhe të shpejta për raste të tilla, në mënyrë që e vërteta të dalë në dritë dhe drejtësia të vihet në
vend. Vonesat e pajustifikueshme dhe mungesa e progresit në këtë rast janë dëshmi e një neglizhence sistematike që dëmton rëndë besimin e qytetarëve në drejtësi”, theksohet mes tjerash.






























