Çka ndodhi sot?
Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës janë kushtet për heqjen e barrikadave të ngritura në këtë zonë, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe në protestën e mbajtur sot.
Protesta u mbajt në vendin ku ndodhet një nga nëntë barrikadat e ngritura nga disa qytetarë serbë në veri të Kosovës, pas arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, më 10 dhjetor.
“Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim, vetëm pse jemi serbë”, tha Rakiq. Ai tha se zgjidhja e kësaj krize është “ekskluzivisht në Prishtinë”.Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i mohoi pretendimet se Policia e Kosovës ka lista, sipas së cilave arreston ish-policë të nacionalitetit serb.
Në fillim të protestës, turmës iu drejtuan edhe djali i Dejan Pantiqit, Predrag Pantiq, ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, dhe të tjerë nga sektori i arsimit dhe drejtësisë.
Ata thanë se duan paqe, duan të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë, se nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar, por se janë kundër Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti. Qëllimi i arrestimeve, sipas tyre, është “frikësimi” i popullit serb.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dallibor Jevtiq, nga radhët e Listës Serbe, tha se “në këtë luftë, serbët janë të bashkuar”. Ai tha se qëllimi i Kurtit është që të mos ketë serbë në jug dhe në veri të Lumit Ibër, ose të ketë “vetëm nga ata që duan t’i përulen”.
Policia e Kosovës tha se, sipas vlerësimeve në terren, protesta ka përfunduar e qetë dhe se në të kanë marrë pjesë rreth 1.500 njerëz.
Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, u organizua pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe. Në thirrjen për protestë u tha se ata duan të dërgojnë mesazh se nuk janë dakord me “persekutime dhe vrasje”.






























