Se si dhe për sa kohë ka mundur të hyjë në Kosovë ky armatim, ka spekulime dhe vlerësime të ndryshme.
Për institucionet e Kosovës, kontrollimi i kufirit me Serbinë, sidomos në veri, nuk është i lehtë, meqë përgjithësisht “është zonë malore”.
Ato kanë paralajmëruar se do ta informojnë publikun në lidhje me rrugët që kanë përdorur kontrabanduesit, por kur këto të dhëna “të jenë të disponueshme”.
Cilat rrugë mund të jenë përdorur për futjen e armëve?
Kjo ka mundur të bëhet edhe “për një ditë”, thotë ish-drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, për REL.
“Banjska si fshat lidhet me një rrugë që nuk është në gjendje të keqe. Është rruga më e shkurtër për të dalë në Novi Pazar të Serbisë”, thotë Huruglica, duke iu referuar rrugës së njohur si Izvor.
Sipas tij, arsenali i madh i armëve, i kalibrave të ndryshëm, mund të këtë hyrë në Kosovë edhe për një ditë.
Në ditën e sulmit, më 24 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se organet e hetuesisë do ta zbulojnë se si është futur arsenali i madh i armëve në territorin e Kosovës, por theksoi se kontrolli i kufirit në veri “nuk është i lehtë”.
“Vija kufitare e Kosovës në komunën e Leposaviqit me fqinjin tonë verior është shumë e gjatë, është përgjithësisht zonë malore. Te Zveçani është një vendkalim kufitar, i cili është dakorduar [në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë] në Bruksel para shumë vitesh, që të bëhet një vendkalim kufitar i integruar, mirëpo nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e Serbisë”, tha atëkohë Kurti.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 1 tetor se, deri më tani, është zbuluar pak a shumë se nga ka hyrë arsenali i armëve në territorin e Kosovës.
Por, “në momentin kur [të dhënat] të jenë të disponueshme për publikun, do t’ju informoj”, tha Sveçla.






























