Paraditen e djeshme, 46-vjeçari, F.I., derisa po udhëtonte për të shpërndarë mallin në komunat e pjesës veriore të Kosovës, me furgonin i cili është në pronësinë e kompanisë për të cilën shërben, dyshohet se është sulmuar nga disa persona të maskuar në Leposaviq.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur derisa viktima po lëvizte në drejtim të Leposaviqit, ku ka hasur në katër persona të maskuar të cilët nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar që të kthehet mbrapsht prej nga kishte shkuar.
Pos kanosjes me armë, të dyshuarit i kanë dëmtuar edhe automjetin e punës, duke i shkaktuar kështu dëme materiale.
Për shkak të rrugëve të bllokuara nga barrikadat e vendosura nga serbët lokalë atje, ai ka përdorur rrugë alternative për të kryer punët e tij, e që më pas është kthyer në pjesën jugore të Mitrovicës.
Me të dalë në Mitrovicën e Jugut, ai ka denoncuar rastin te organet e hetuesisë, ku ka dhënë deklaratën e tij duke rrëfyer në detaje gjithë atë që i ngjau.






























