Në një intervistë në televizionin publik të Kosovës, Sveçla tha se kjo u pa edhe javë më parë kur të dirigjuara nga Beogradi, këto struktura bllokuan rrugët.
Duke folur për situatën e sigurisë në veri të Mitrovicës, ministri i Brendshëm deklaroi se të gjitha rrugët tashmë janë të hapura, përveç atyre ilegale, të cilat deklaroi se janë të mbyllura nga patrullimet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës, e cila vazhdon të luftojë çfarëdo veprimtarie kriminale atje.
“Situata mund të themi se është e qetë, por nuk mund të themi se është plotësisht stabile”, tha ministri Svecla. “Përderisa ndikimi i Serbisë vazhdon të jetë jashtëzakonisht i madh përmes strukturave kriminale, atëherë nevojitet mobilizim i gjithmbarshëm, jo vetëm i strukturave të sigurisë, e posaçërisht policisë, por i gjithë shoqërisë sonë që të tejkalohen këto sfida”.Ministri i Punëve të Brendshme u shpreh se roli i obstruktiv i Serbisë duhet të neutralizohet njëherë e përgjithmonë, e që edhe ajo pjesë e Kosovës të shohë përpara sikurse të gjitha pjesët tjera të vendit.
Ministri deklaroi se edhe pas dorëheqjes së pjesëtarëve të komunitet serb nga Policia e Kosovës, kjo e fundit po arrin ta menaxhojë shumë mirë situatën atje.






























